Trupat e Mbrojtjes së Kosovës

Pas përfundimit të luftës së armatosur dhe vendosjes së forcave të NATO-s në Kosovë, u paraqit nevoja e përcaktimit të rolit të UÇK-së në pajtim me realitetin e ri të krijuar. Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara, e cila është miratuar në Qershor të vitit 1999, parasheh demilitarizimin e UÇK-së.

Në Qershor të po këtij viti, nënshkruhet Marrëveshja e Demilitarizimit dhe Transformimit të UÇK-së në mes të Komandantit të KFOR-it, gjeneralit britanez, Mike Jackson dhe Hashim Thaçit, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, i cili në fakt në atë kohë ishte Kryeministër në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

Pas përfundimit të fazës së demilitarizimit, në shtator të vitit 1999 kryeadministratori i UNMIK-ut Dr. Bernard Kushner nënshkruan Rregulloren 1999/8 për themelimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës , e cila pasohet nga Deklarata mbi Parimet, e nënshkruar nga Komandanti i TMK-së dhe Komandanti i KFOR-it.

Menjëherë pas nxjerrjes së këtyre dokumenteve, Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM ) fillon fushatën e regjistrimit të luftëtarëve të UÇK-së e cila zgjatë nga 23 korriku deri më 31 nëntor 1999. Sipas shënimeve të kësaj organizate janë regjistruar 25,723 luftëtarë.

Për t’iu bashkuar TMK-së kanë aplikuar 20,271 persona, prej tyre

  • 17,348 apo 85.5% ish-luftëtarë të UÇK-së
  • 2.923 apo 14.00% civilë
  • 96 apo 0.04% pjesëtarë të minoriteteve

Me rregulloren e formimit të TMK-së të nënshkruar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, parashihet që TMK të përbëhet prej, më së shumti, 3000 pjesëtarëve aktivë dhe 2000 pjesëtarëve rezervë. Në fillim TMK-ja formohet si një organizatë me 5052 pjesëtarë prej tyre 10 % duhet të jenë minoritarë. Vendet e rezervuara për minoritarët në fillim mbeten të paplotësuara ( kryesisht ato të parapara për pjesëtarët e pakicës serbe) përderisa të gjitha vendet tjera të parapara për shqiptarë dhe pjesëtarë të pakicave tjera plotësohen që në fillim. Zgjedhja e pjesëtarëve për t’u angazhuar në TMK, bëhet nga Komisioni i Përbashkët KFOR-TMK-UNMIK.

Më, 21 janar 2000, me inaugurimin solemn të 44 eprorëve të lartë, TMK-ja themelohet edhe zyrtarisht dhe është institucioni i parë në Kosovë i njohur ndërkombëtarisht.

Pse formohet TMK-ja?

  • Për të ndihmuar riintegrimin e ish-luftëtarëve në shoqërinë civile
  • Krijohet si forcë për të ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie ku dominon rendi dhe paqja
  • Për mbrojtje të vlerave të demokracisë
  • Një trupë emergjente , e uniformuar dhe shumetnike

Në rregulloren për formimin e TMK-së dhe në Deklaratën e Parimeve, TMK-së i caktohen për mision këto detyra:

Të kontribuojë për rindërtimin e infrastrukturës dhe t’u ndihmojë komuniteteve

  • Të reagojë për çdo fatkeqësi që i kërcënohet popullit dhe territorit të Kosovës
  • Të kryejë operacione të kërkim-shpëtimit
  • Të ofrojë ndihmë humanitare në vendet e izoluara
  • Të ndihmojë misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe KFOR-in, nëse kërkohet.
  • Të kryejë detyrat ceremoniale

Statuti

Nyje tjera

Komente