Historiku i Radio Kosova e lirë

ZËRI I LIRISË

NGA ideja deri te lindja e “KOSOVËS SË LIRË”


Nisma për të hapur një radiostacion të luftës doli nga disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rreth kësaj nisme janë angazhuar, zëdhënësi i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ndërsa idenë e kanë përkrahur dhe kanë ndihmuar: Azem Syla, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Ramë Buja, Fatmir Limaj, Salih Veseli, Naim Maloku e të tjerë.

Azem Syla Jakup Krasniqi Hashim Thaçi
Lidhur me themelimin e radios, qysh më 22 qershor të vitit 1998, Ahmet Qeriqisë bashku me Ramë Bujën, kanë biseduar në fshatin Negroc me zëdhënësin e SHP të UCK-së, Jakup Krasniqi.
Më 23 korrik të vitit 1998, Nezir Myrtaj dhe Ahmet Qeriqi takuan në Kleçkë zëdhënësin Jakup Krasniqi, me të cilin biseduan lidhur me krijimin e kushteve për aktivizimin sa më të shpejtë të mediumeve informative të SHP të UÇK-së.
Angazhimi rreth hapjes së radios është ndërprerë me rastin e ofensivave serbe të korrikut dhe gushtit të vitit 1998.
Në fillim të tetorit të vitit 1998 Ahmet Qeriqi u konsultua me Shaban Shalën, përfaqësues i Drejtorisë Informative të SHP të UÇK-së, dhe të dy angazhohen për të sjellë teknikën e shtypshkronjës në Rrafshnaltë, meqë ishin krijuar kushte për nxjerrjen e një informatori ditor. Pajisjet teknike të shtypshkronjës asokohe ndodheshin në Krasmiroc të Drenicës.
Teknikën transmetuese të Radios, Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ia dhuroi pronari i radios Zërit i Kumanovës, këngëtari, Ismet Behxheti.
Angazhimin rreth mbartjes ilegale të transmetuesit 250 wat, miksetës dhe pajisjeve përcjellëse, pas peripecive disa mujore nga kumanova i kanë sjellë në selinë e SHP të UÇK-së në Divjakë, ushtarët: Mentor Hoxha, Basri Beka, Shaqir Shaqiri, Islam Berisha Bajram Jashari, Bekim Haxhiu e të tjerë. Teknika transmetuese fillimisht ka qenë vendosur në malet e Qyqavisë e prej andej u bart në Fshatin e Ri, në Rrafshnaltën e Berishës.

Në nëntor të vitit 1998, bëhen përpjekjet e para për të vendosur antenën në Fshatin e Ri dhe për të filluar transmetimi më 28 nëntor të vitit 1998. Për shkaqe objektive u shty data e fillimit të hapjes. Në përpjekjen e parë për ta vendosur antenën, në Fshatin e Ri, Blerim Peja ka qëndruar së bashku me Xhevdet Gashin më 25 e 26 nëntor 1998, me ç rast kanë biseduar me komandant Musa Jasharin për vendosjen e antenës së Radios.
Në dhjetor të vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së vendos të themelojë radion e cila do të quhet “Kosova e lirë” dhe Agjencinë e lajmeve “Kosovapres”, dy institucione informative të UÇK-së. Përgjegjës për radio u caktua, Ahmet Qeriqi, ndërsa për agjencinë, Berat Luzha.
Gjatë muajit dhjetor, në Krojmir vijnë edhe kuadro të tjerë të cilët do të punonin në radio dhe në agjenci. Fillimisht vjen nga Prishtina, Isë Krasniqi, i plagosur në luftë, muaj më parë, i cili për një kohë ishte shëruar në Prishtinë. Në koordinimin e punëve nga Hilmi Ramadani, vjen edhe Nusret Pllana. Ai, fillimisht ishte caktuar të punonte në Drejtorinë e Ekonomisë dhe të Financave, mirëpo duke qenë se kishte aftësi organizative dhe kishte zhvilluar aktivitet paraprak në shoqëritë kulturore, vendoset që Nusreti t`i bashkëngjitej stafit të Radios dhe të Agjencisë. Kishte zë të përshtatshëm për folës, lexonte pa gabime, me timbër të theksuar militant, që i përgjigjej konceptit të radios së luftës. Zëri dhe aktiviteti i tij i përkushtuar ndihmuan shumë për fillimin serioz të punës sidomos në Radio.
Kishte ardhur nga Gjermania ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së edhe Martin Çuni, i cili asokohe ishte sistemuar në Zonën e Drenicës, por me të mësuar lajmin lidhur me hapjen e radiostacionit, Martini vjen në Krojmir, ku ishte vendosur stafi i Radios dhe i Agjencisë.
Më 1 janar të vitit 1999, Martin Çuni, sipas rekomandimeve nga Shtabi, vendos që selia e Radios dhe e Agjencisë të vendosen në shtëpinë e Rizah Asllan Berishës, në fshatin Berishë. Rizahu kishte pranuar që odën ta lironte për shërbime të radios dhe të agjencisë.
Më 3 janar u bënë përgatitjet e funditdhe u vendos që më datën 4 janar 1999, të transmetohet emisioni i parë eksperimental provues. Ahmet Qeriqi përgatit informatën e parë, e cila u emetua me rastin e hapjes së programit.
Më 4 janar arrijnë nga Prishtina Xhevdet Gashi, inxhinier i studios dhe transmetimit, pastaj Blerim Peja, e të interesuar të tjerë. Ndërkohë u bënë përgatitjet e fundit. Përcaktohet që sinjal paralajmërues të jetë singla e komponuar nga Rauf Dhomi dhe e realizuar nga Efraim Kastrati. Singla paralajmëruese mbërthente përmbajtjen e qëlluar të tingujve autentikë të një radioje militante të luftës.
Për fillimin e emetimit Ahmet Qeriqi dhe Martin Çuni shkëpusin një efekt muzikor nga kënga “Jam Kosova e shqiptarisë”, e cila është përcjellë me fjalët, “Ju flet Kosova e lirë”, të zëruar nga folësi i parë i Radios, Nusret Pllana.
Në orën 15 e 55 minuta në Rrafshnaltë, përballë pllakës përkujtimore të atdhetarit Rifat Berisha, ku paraprakisht ishte vendosur antena transmetuese, në prani të dhjetëra pjesëmarrësve, ka filluar të përhapet tingulli paralajmërues i shoqëruar me fjalët “Ju flet Kosova e lirë”. Emetimi ka qenë eksperimental dhe ka zgjatur 5 minuta. Veç tekstit të prezantimit të lajmërimit për fillimin e emetimit është lexuar edhe Komunikata e SHP të UÇK-së, që kishte të bënte me fillimin e punës në radio dhe në Agjenci.

Në hapjen solemne të radiostacionit “Kosova e lirë” kanë marrë pjesë: Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Ahmet Qeriqi, Martin Çuni, Nusret Pllana, Nuri Bega, Adem Grabovci, Xhevdet Gashi, Blerim Peja, Berat Luzha, Rizah Berisha, Milaim Berisha, Elez Durmishi, Isë Krasniqi, Ismet Sopi dhe disa ushtarë të shtabit lokal të Berishës. Në orën 18.00 të 4 janarit arrin në Krojmir edhe Nezir Myrtaj. Ishte vonuar meqë, një ditë më parë, policia sekrete serbe, nga prita, kishte vrarë Enver Tefik Gashin nga Shtimja, një mik i Nezirit.

Stafi i radios dhe i agjencisë gjatë kohës së luftës
Ekipin e parë të gazetarëve dhe të teknikëve të Radios e të Agjencisë e kanë përbërë: Ahmet Qeriqi, Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nusret Pllana, Isë Krasniqi Berat Luzha, Rizah Berisha, Ismet Sopi, Valdet Hoti, dhe Habib Zogaj.
Ndërkohë janë angazhuar edhe: luftëtari Shefqet Buçaj nga Lladrovci, pastaj Ajete Zogaj nga Fshati i Ri, arsimtare, Sheqir Zeneli, profesor nga Prishtina, Qemal Aliu, gazetar i “Bujkut”, Fatmir Dugolli, operator i zërit, Arbanë Qeriqi, absolvente e pedagogjisë e të tjerë.
Në fazën e dytë të konsolidimit ekipin e radios dhe të agjencisë e përbëjnë:
Ekipin e radios: Ahmet Qeriqi, Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nusret Pllana, Habib Zogaj, Fatmir Dugolli, Valdet Hoti dhe Rizah Berisha,
Ekipin e agjencisë “Kosovapres” Berat Luzha, Isë Krasniqi, Ismet Sopi, Qemal Aliu, Besnik Berisha, Metë Bytyqi, Fadil Bajraktari, ndërsa në cilësinë e bashkëpunëtorit nga Prishtina Nuhi Paçarizi.
Në zyrën e agjencisë në Cyrih ka punuar Skënder Krasniqi.
Në cilësi të fotoreporterit, prej 20 prillit 1999 angazhohet edhe Gazmend Elshani, nga Bainca e Drenacit (ish-Gllogoc).
Kanë prezantuar kohë pas kohe, kanë dhënë informacione, kanë mbajtur kontakte dhe kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme:
Blerim Peja, Behxhet Krasniqi, Sheqir Zeneli, Xhevdet Gashi, Hilmi Ramadani, Selatin Qeriqi, Naim Ymeri, Vehbi Zeqiri, Nuhi Bytyçi, Abaz Zeka, Naim Bujupi, Fatmir Xhelili, Mustafë Gara, Zenel Kastrati, Nazmi Iballi, Fadil Berisha, Esat Brajshori, Hasan Gashi, Shaban Hoxha, Rauf Dhomi, Efraim Kastrati, Vijon Peja, Enver Kelmendi, Bedri Rama, Emin Olluri, Mehmet K. Berisha. Shyqri Galica, Agim Berisha, Sheremet Krasniqi, Ramadan Rizani, Heset Hamdiu Vehbi Qeriqi, etj.

Bashkëpunëtorët dhe korrespondentët nga zonat operative:
Zona Operative e Drenicës:

Gani Koci, Murat Musliu, Tahir Desku, Destan Bajraktari.

Zona Operative e Pashtrikut:

Besim Baraliu, Ilaz Kadolli, Xhavit Bajraktari (dëshmor i kombit), Selatin Qeriqi, Naim Imeri, Fadil Bajraktari, Ajete Zogaj, Naim Bujupi, Arbanë Qeriqi etj.

Zona Operative e Dukagjinit:

Fitnete Ramosaj, Hyrie Veliu, Faton Mehmetaj, Salih Lajçi, Ali Geci, Remzie Zeqiraj.

Zona Operative e Shalës:

Sabit Gashi.

Zona Operative e Llapit:

Ismet Cakiqi, Muharrem Mahmutaj.

Zona Operative e Neredimes:

Ruzhdi Jashari, Ali Uka, Hyrë Emini (dëshmore)

Zona Operative e Karadakut:

Ahmet Isufi, Ismet Sylejmani

Dëshmorët dhe martirët e rënë prej 27 mars deri më 2 maj të vitit 1999 në mbrojtje të pozicioneve nga ku emetonte Radio-Kosova e Lirë

Në mbrojtje të pozicioneve të Rrafshnaltës, të SHP të UÇK-së të instititucioneve informative të luftës dhe të popullatës së zhvendosur përreth vend emetimit të Radios dhe të Agjencisë prej 1 prill deri më 11 qershor të vitit 1999, kanë rënë dëshmorë:

ELBASAN JAKUP BERISHA 16-vjeçar, është vrarë nga predhat e bombave kasetë më 27 mars të vitit 1999, gjatë sulmit të dy aeroplanëve bombardues MIG 21 të armatës okupatore jugosllave, afër selisë së Radios.
XHAVIT KELMENDI nga Karaçica, ka rënë dëshmor më 1prill të vitit 1999, në luftë kundër forcave ushtarake serbe në mbrojtje të pozicioneve te UÇK-së në Tërpezë. Ka qenë pjesëtar i njësive speciale të SHP të UÇK-së.
VEZIR KOLSHI, nga fshati Baicë e Kolshit, ka rënë dëshmor më 1 prill 1999, në luftë kundër forcave serbe, në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së, në Tërpezë. Ka qenë pjesëtar i njësive speciale të SHP të UÇK-së.
MEHDI BYTYÇI nga Arllati, komandant Toge, ka rënë dëshmor me 16 prill 1999 te Lagja e Bytyçve, në Arllat në mbrojtje të pozicioneve, me rastin e përpjekjeve të forcave serbe për të depërtuar në Rrafshnaltë.
SYLEJMAN BYTYÇI nga Arllati, ka marrë plagë vdekjeprurëse nga arma armike më 16 prill 1999, te Lagja e Bytyçve. Nga plagët ka ndërruar jetë pesë ditë më vonë.
ISLAM KASTRATI, nga Kizhareka
MENTOR MORINA, nga Arllati
RAMADAN BYTYQI, nga Gjergjica
MENTOR GASHI nga Llapushniku
HALIM BAJRAKTARI, nga Çikatova, kanë rënë dëshmorë më 18 prill të vitit 1999, në betejën ballë për ballë kundër këmbësorisë serbe në pozicionet strategjike të UÇK-së te Gradina, mbi Grykë të Llapushnikut.

XHAVIT BAJRAKTARI, nga fshati Studençan i Therandës ka rënë dëshmor me 2 maj 1999 së bashku me Fetah Gegën, në fshatin Shirokë, në përleshje të drejtpërdrejt me forcat armike. Xhaviti ka qenë reporter i Radios dhe i Agjencisë, prej shkurtit të vitit 1999.
SHAQIR HOXHA, nga fshati Shalë ish-Sedllar, ka rënë dëshmor në hyrje të Grykës së Gashit në Nekoc, më 24 prill 1999.
Në mbrojtje të pozicioneve dhe vendit ku ka emetuar Radio-Kosova e Lirë gjatë luftës kanë qenë të angazhuar eprorët e komandës operative: Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Haxhi Shala, Refki Mazreku, Ajet Kastrati, Ajvaz Berisha Xhavit Sadriaj, Muharrem Sylejmani, Fadil Berisha, Agim Vrellaku, Mustafë Sopi, Faik Sopi, Daut Bajraktari, Dervish Bytyqi si dhe shumë luftëtarë të dalluar të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova dhe të brigadave: 113, Mujë Krasniqi e 114 Fehmi Lladrovci. Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres kanë qenë bazat më të mbrojtura dhe më të fortifikuara në Brigadën 121, Ismet Jashari-Kumanova.
Bashkëpunëtorë të Radios Kosova e Lirë të rënë dëshmorë:

Në periudha të ndryshme të luftës çlirimtare, në fushën e nderit, kanë rënë këta bashkëpunëtorë të Radios-Kosova e Lirë:

Xhavit Bajraktari, ka rënë më 2 maj 1999 në fshatin Shirokë të Therandës.

Hyrë Emini ka rënë Tanushë të Gostivarit, më 29 korrik të vitit 2001.

Islam Berisha ka rënë në Mitrovicë, më 2003.

II

Radio-Kosova e lirë, përpjekje për mbijetesë

Emetimin e programit e ka filluar më 4 janar të vitit 1999, në fshatin Berishë të Rrafshnaltës të Drenicës.
Më 21 qershor të vitit 1999, është ndërprerë emetimi në Berishë, ndërsa më 12 korrik, të po atij viti ka rifilluar punën në Prishtinë, në lagjen Bregu i Diellit ku Radio-Kosova e Lirë emeton aktualisht. Me rastin e caktimit të statusit dhe të ndarjes së licencave, në fillim të vitit 2000, Zyra e Komisionerit të Përkohshëm për Media, e cila asokohe drejtohej nga zyrtari i lartë i OSBE-së, z. Simon Haselock, Radios Kosova e Lirë nuk ia ka pranuar statusin paraprak autonom, ashtu sikur iu ka pranuar disa mediumeve të tjera që kanë transmetuar para vendosjes së Zyrës së Misionit të OSBE-së për mediat, në Kosovë.
Me rastin e rikonfirmimit të licencave në nëntor të vitit 2000, Radios-Kosova e Lirë, iu ka marrë e drejta e emetimit në valën 101 megaherc, si dhe e drejta e posedimit të një frekuence ndihmëse.
Në prill të vitit 2001, me vendim të ZKPM-së Radios-Kosova e Lirë i ndalohet emetimi në bazën emetuese në Berishë, ku ka transmetuar prej 4 janarit të vitit 1999.
Aktualisht, Radio-Kosova e Lirë, transmeton 15 orë program ditor informativ, kulturor, edukativ dhe muzikor, në valët FM, në frekuencë 94.2, me mbulim të territorit të komunës të Prishtinës dhe të një pjese të territorit të Kosovës.
Nga një radio që gjatë luftës, mbulonte tërë territorin e Kosovës, dhe ishte i vetmi medium informativ në Kosovë, aktualisht Radio Kosova e Lirë, mbulon me dëgjueshmëri vetëm 25-30% të territorit të Kosovës, ndërsa, sipas rezultateve të anketës së Galupit, në vitin 2000 dhe 2001 ishte radioja më e dëgjueshme lokale në Kosovë. Mbështetur në hulumtimet e asociacionit Indeks-Kosova dhe Galup International, në vitin 2003 Radios Kosova e Lirë radhitej e katërta ndërsa në vitin 2004, ishte radioja e tretë me besueshmëri dhe dëgjueshmëri.
Zyrtarët e këtyre dy asociacioneve, me rastin e shpalljes së rezultateve, e kanë fshehur faktin se Radio-Kosova e Lirë dëgjohet vetëm në 25-30 për qind të territorit, dhe jo qind për qind sikur dëgjohen tri radiot e tjera të cilat e mbulojnë me valë tërë territorin e Kosovës.

Dëgjuesit, programi, përmbajtja dhe vështirësitë financiare

Ruajtja dhe restaurimi i konceptit kombëtar të programit, ka qenë dhe mbetet aktualisht prioritet i angazhimit të stafit drejtues dhe i të gjithë gazetarëve të Radios-Kosova e Lirë.
Koncepti militant afirmativ me përmbajtje edukative kombëtare me prioritet sidomos për shembujt e sakrificës dhe të heroizmit të dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bën që kjo radio të dallohet nga koncepti dhe përmbajtja e të gjitha radiove që aktualisht emetojnë program në gjuhën shqipe, jo vetëm në Kosovë por në mbarë trojet etnike shqiptare.
Radio Kosova e Lirë trajton një gamë të gjerë temash historike dhe dokumentare të së kaluarës dhe të aktualitetit duke veçuar sidomos përmbajtjet afirmative kulturore, identitetin e mirëfilltë të kulturës tradicionale shqiptare, tolerancën ndër fetare, si dhe tema të tjera të veçanta me përmbajtje të ndryshme tematike, informative.
Në rrugën e gjatë dhe të mundimshme të instalimit dhe të realizimit gradual të këtij koncepti, Radio Kosova e Lirë, është bërë zë i pranueshëm dhe mjaft i preferuar sidomos për familjet e dëshmorëve, familjet e martirëve dhe viktimave të luftës, familjet me pjesëtarë të zhdukur gjatë luftës së fundit, për invalidët dhe veteranët e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për shumicën e shqiptarëve liridashës.
Për konceptin programor të Radios-Kosova e Lirë, janë të huaja dhe të papranueshme temat joserioze, temat që e lëndojnë moralin autentik kombëtar, apo tema të mediokritetit pacifist.
Dominon mendimi se Kosovës të periudhës së tranzicionit dhe kombit shqiptar në përgjithësi, i nevojitet një koncept i tillë militant afirmativ. Përpjekjet për integrim kulturor mbarëkombëtar janë përpjekje pozitive, që duhet të afirmohen, që duhet të mbështeten nga të gjithë shqiptarët liridashës dhe nga të gjithë intelektualët e vërtetë të kombit, kudo ku jetojnë dhe veprojnë. Radio Kosova e Lirë është tejet e angazhuar në këtë drejtim.
Përpjekjet tona për të ndikuar në përparimin e këtij koncepti me aq sa na lejojnë mundësitë objektive kanë qenë dhe mbeten të kufizuara, meqë një program të tillë serioz militant kombëtar, nuk e përkrahin përgjegjësit ndërkombëtar të mediave, nuk e mbështesin financiarisht as partitë politike shqiptare, as institucionet tjera të vendit.
Pavarësisht nga injorimi që i është bërë Radios Kosova e Lirë sidomos nga Zyra e Komisionerit të Përkohshëm të Mediave, me rastin e caktimit të statusit, pavarësisht nga mungesa e mbështetjes institucionale, Radion Kosova e Lirë e kanë ndihmuar dhe ende vazhdojnë ta ndihmojnë drejtuesit e disa firmave në Kosovë, qoftë në formë të bashkëpunimit përmes kryerjes së shërbimeve me reklamë, qoftë me donatori për raste të veçanta.
Radio Kosova e Lirë prodhon program me përmbajtje tematike kombëtare për familjet e dëshmorëve, për invalidët dhe veteranët e luftës dhe për dëgjuesit të cilët e preferojnë konceptin serioz të programit tonë.
Në saje të rezultatit të anketave të bëra në opinion është konstatuar se programin e Radios Kosova e Lirë e preferojnë liridashësit shqiptarë kryesisht prej moshës 20-30 vjeçare, studentët, punëtorët, familjet e dëshmorëve, veteranët, invalidët e luftës dhe ushtarët e TMK-së.
Programin e Radios Kosova e Lirë më së tepërmi e preferojnë dëgjuesit e trevave që kanë qenë të përfshira në luftë, mirëpo për shkak të mungesës së dëgjueshmërisë, ata janë të privuar nga dëshira e tyre për ta dëgjuar programin tonë.
Pavarësisht nga vështirësitë financiare dhe nga kufizimi ekstrem i dëgjueshmërisë, me rastin e përcaktimit të statusit nga ZKPM, Radio-Kosova e Lirë, emeton 15 orë program ditor me përmbajtje informative, kulturore emisione tematike për dëshmorët, emisione kontaktuese, muzikore, spote me përmbajtje edukative arsimore, tema të ndryshme pedagogjike, filozofike e shoqërore, duke trajtuar tema serioze dhe tejet të rëndësishme për të kaluarën dhe kulturën kombëtare.

Radio Kosova e Lirë

Historiku i procedurës së aplikimi, vështirësitë, pengesat, injorimi, mungesa e përkrahjes

Edhe pse Radio-Kosova e Lirë ka emetuar program prej 4 janarit të vitit 1999, përgjegjësit e Misionit për Media të OSBE-së, nuk i kanë marrë fare parasysh specifikat dhe statusin e veçantë të kësaj radioje, me rastin e ndarjes së licencës dhe të përcaktimit të statusit transmetues.
Radio-Kosova e Lirë, gjatë kohës së luftës, e sidomos në periudhën kohore 24 mars 21 qershor 1999, ka qenë i vetmi medium informativ në tërë territorin e Kosovës.
Në gusht të vitit 1999, me rastin e fillimit të emetimit në Prishtinë, Radio-Kosova e Lirë ka marrë lejen për emetim të përkohshëm nga Përfaqësuesi u UNMIK-ut për Çështje Civile, z. Dominique Vian.
Më 13 gusht të vitit 1999, kryesuesit të Drejtorisë për Çështje të Mediave,z. Douglas Davidson i është drejtuar kërkesë me shkrim, për të mundësuar shfrytëzimin e një lokali të caktuar, në Pallatin e Shtypit në Prishtinë.
Kërkesa nuk është përfillur.
Më 2 shtator të vitit 1999, Radio Kosova e Lirë ka marrë lejen e punës edhe nga Ministria e Informimit Publik të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Më 20 shtator është hartuar një projekt të detajuar teknik, i cili u është drejtuar organizatave të caktuara që interesoheshin për mëkëmbjen e mediave pas luftës. Asnjë organizatë e huaj, asnjë donator i huaj nuk e ka ndihmuar asnjëherë Radion-Kosova e Lirë. Më 30.6.2000 Drejtorisë për Leje të Mediave të OSBE-së I është ushtruar kërkesë për vazhdimin e emetimit të programit në frekuencat 88.8 dhe 101 megaherc FM.
Më 27. 11. 2000 Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë ka plotësuar aplikacionet për leje me mbulim të transmetimit në tërë territorin e Kosovës.
Më 11. 12. 2000 Bordi prej pesë anëtarëve tre ndërkombëtarë dhe dy vendorë (Vehap Shita dhe Fatmir Berisha), kryesuar nga Komisioneri i Përkohshëm për Media, z Simon Haselock, vendosi që lejet për radio dhe televizion me mbulim në tërë territorin e Kosovës, t`ia ndajë Radios 21 dhe TV 21 dhe Radio dhe TV Dukagjinit.
Në aplikacionet paraprake, ishte precizuar që aplikuesi i cili ka leje emetimi për TV, nuk mund ta marrë lejen edhe për radio. Mirëpo me vendimin unanim të anëtarëve të komisionit, leja për Radio dhe TV iu dha Radiotelevizionit 21 dhe Radio-Dukagjinit.
Më 8 janar 2001, Zyrës së Komisionerit të Përkohshëm i është paraqitur ankesë, për shkak të shkeljes së parimit që njëjti aplikues të marrë leje për radio dhe televizion. Ankesa është refuzuar, ndërsa z. Haselok ka propozuar që ankesa t`i drejtohet të ashtuquajturit Bord të Mediave, i cili po ashtu dominohej nga persona dhe gjyqtarë të ish nomenklaturës, si Ramadan Vraniqi, Vehap Shita, Fatmir Berisha, Agim Zatriqi e të tjerë.
Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë nuk ka konsideruar punë të arsyeshme t` i drejtojë ankesë personave të cilët edhe ashtu i kishin shkelur parimet e shpalljes së konkurrimit, me rastin e ndarjes së licencës për radio me mbulim dëgjueshmërie në tërë territorin e Kosovës.
Më 30.1.2001, kemi marrë lejen për transmetim, sipas së cilës statusi i Radios- Kosova e Lirë, nga ZKPM është degraduar skajshëm, si radio lokale me mbulim vetëm në territorin e Prishtinës, me fuqi dalëse 250 Wat.
ZKPM-ja në vazhdim të injorimit të Radios Kosova e Lirë, me rastin e caktimit të frekuencave të reja, Radios-Kosova e Lirë i ka ndarë frekuencën 94.2, megaherc, në të njëjtën valë me radion shtetërore të Maqedonisë, e cila me një fuqi tejet të shprehur radio difuzive, 10 herë më e fuqishme se Radio Kosova e Lirë, mbulon përveç territorit të ish RJ të Maqedonisë edhe 60% të tërë territorit të Kosovës.
Me vendimin për posedimin e lejes për transmetim të datës 30.1 2001 është ndaluar transmetimi në valën tonë valide në 101 megaherc, në fshatin Berishë, në Rrafshnaltë të Drenicës, nga ku është emetuar programi një vit para themelimit të Zyrës së Komisionerit të Përkohshëm për Media, në Prishtinë.
Duke qenë se Radio-Kosova e Lirë vazhdimisht qenë në shënjestër të interferencës së pa tolerueshme dhe pengesave të shumta devijante nga radisotacionet e tjera që kanë emetuar dhe aktualisht emetojnë me fuqi dalëse shumëherë më të fortë se Radio-Kosova e Lirë, disa herë ka ardhur deri te defektimi i transmetuesve, për rregullimin e të cilëve janë bërë shpenzime të konsiderueshme.
Për këto probleme janë ushtruar pesë ankesa në periudhën prej 30.5 deri më 19.10 2001, kundër pengesave në valën tonë, të cilat asnjëherë dhe në asnjë rast nuk janë marrë në konsideratë.
Vetëm kur kemi filluar emetimi në valën 100.7 megaherc, për shkak të interferencës së pa tolerueshme në valën 94.2, atëherë ZKPM e kryesuar nga zonja Anna Di Lellio, me vendimin e datës 18 Shtator 2001, ka pranuar se ekziston interferencë e pa tolerueshme, në valën valide të radios Kosova e Lirë, mirëpo ajo në të njëjtën kohë jep ultimatum 24 orësh për të ndërprerë transmetimin në valën 100.7, duke kërcënuar me sanksione për marrjen e lejes së transmetimit.
Edhe pse në shënjestër të vazhdueshme të injorimit dhe të presionit, për hir të familjeve të dëshmorëve, të veteranëve dhe të invalidëve të luftës, që janë dëgjues të përhershëm të Radios Kosova e Lirë, në pamundësi për të bërë ndryshe stafi drejtues është pajtuar me gjendjen ekzistuese, meqë nuk ka gëzuar përkrahje nga asnjë instancë organizative institucionale në Kosovë.

Injorimi deri në skajshmëri i zërit të Radios Kosova e Lirë, nga qarqe të caktuara të zyrtarëve të mediave, pengimi i valëve dhe interferenca e pa tolerueshme dhe e vazhdueshme, bëhen me qëllim të caktuar për ta detyruar të heq dorë nga emetimi, meqë kjo radio e themeluar në frontet e luftës çlirimtare, vazhdon të injorohet nga grupe dhe qarqe të caktuara të koniukturave aktuale politike.
Të papërkulshëm në të drejtën tonë të fituar me gjakun e mijëra dëshmorëve të kombit, në mesin e tyre 12 të rënëve në mbrojtje të pozicioneve nga ku transmetohej programi i kësaj radioje gjatë luftës së UÇK-së, ne do të vazhdojmë t`i kërkojmë të drejtat tona legjitime, për të transmetuar papengueshëm dhe për të rifituar të drejtën për dëgjueshmëri në mbarë territorin e Kosovës.
Ky zë bese e lirie është mbrojtur me gjakun e bijave dhe të bijve më të dëshmuar të kombit. Pikërisht për këtë dhe për faktin se në arkivin e Radios Kosova e lirë ruhet lënda autentike dokumentare e kohës së luftës: rreth 3500 informacione autentike, 200 komente, vështrime e shënime, 150 biseda, intervista e reportazhe në frontet e luftës dhe emisione të tjera kulturore.Prore janë bërë përpjekje që Radios-Kosova e Lirë t`i kthehet e drejta për të mbuluar me dëgjueshmëri tërë territorin e Kosovës, por nuk kemi hasur në mirëkuptim të asnjë faktori relevant institucional vendor apo ndërkombëtar.

Pajisjet teknike dhe pengesat në emetim

Pika më e dobët si në të kaluarën, gjatë kohës së luftës, kur ka filluar transmetimin Radio-Kosova e Lirë, dhe aktualisht, është mungesa e pajisjeve adekuate teknike dhe probleme të tjera, po ashtu të natyrës teknike, që e shoqërojnë emetimin normal të Radios-Kosova e Lirë Transmetuesi i parë, me fuqi dalëse 200 Wat, është dhuruar për Radion-Kosova e Lirë në kohën e luftës, nga veprimtari dhe këngëtari Ismet Bexheti, pronar i radios-Zëri i Kumanovës.
Gjatë kohës së luftës, është emetuar në kushte të papërshtatshme për teknikën transmetuese, në temperatura të ulëta të cilat kanë dëmtuar gradualisht transmetuesin dhe të gjitha pajisjet përcjellëse.
Edhe pse në kushte dhe rrethana lufte, është arritur të kompletohen mjetet dhe pajisjet më se të nevojshme për të emetuar program. Përveç transmetuesit tip RVR elektronik është shfrytëzuar një miksetë amatore, dy palë kufje, një dek kasetë, një dek CD dhe një mikrofon, katër antena sistem YOGI me pajisjet e tjera përkatëse, kabëll, spina, diktafonë, etj.
Studioja e parë e Radios Kosova e Lirë në tërësi ka qenë studio amatore e improvizuar në kushte dhe rrethana të luftës.
Emisionet e Radios Kosova e Lirë prej 4 janar deri më 21 qershor të vitit 1999 janë emetuar me gjenerator, për shkak se programi është transmetuar në vende ku nuk ka pasur furnizim me energji elektrike. Falë përkujdesjes gjithnjë mobilizuese të tërë stafit teknik, gjatë luftës nuk ka ndodhur asnjë ndërprerje e programit për shkaqe teknike. Edhe me rastin e goditjes së bazës transmetuese, më 30 mars 1999, nga minahedhësit e forcave armike, me ç rast është defektuar njëra nga antenat, ato janë larguar nga vendi ku kanë qenë të vendosura dhe ndërkohë është evituar defektin. Teknika transmetuese dhe mjetet e tjera përkatëse vazhdimisht janë testuar dhe janë evituar paraprakisht defektet e presupozuara.

***
Rifillimi i transmetimit në Prishtinë më 12 korrik të vitit 1999, e gjeti Radio-Kosovën e Lirë me po ato mjete të teknikës transmetuese. Në periudhën prej 12 korrik 1999 e deri më mars të vitit 2000 kanë ndodhur dhjetëra defekte në teknikën transmetuese, e cila ishte dëmtuar, në kushte dhe rrethana të emetimit në lagështirën e bunkerit.
Në prill të vitit 2000, donatori Nexhat Behluli nga Presheva i dhuroi Radios-Kosova e Lirë 10.000 DM, me të cilat është blerë një transmetues i tipit RVR 500 wat. Po ashtu është blerë edhe një miksetë të re dhe disa pajisje të tjera më të domosdoshme.
Pavarësisht nga teknika e re transmetuese, për shkak të interferencës së shkaktuar nga emetues të tjerë, në të njëjtat valë, nuk është arritur të sigurohet sinjal cilësor, as të mbulojmë hapësirën e paraparë të dëgjueshmërisë. Disa herë i është ushtruar ankesë Zyrës së komisionierit të Përkohshëm për Media, por ato asnjëherë nuk janë marrë në konsiderim, edhe pse zyrtarët e kësaj zyreje e kanë kontatuar interferencën në shkallë të palejueshme, në valën tonë valide 94.2 MHz.
Duke qenë jetësisht të interesuar ta rrisim shkallën e dëgjueshmërisë, në shtator të vitit 2001, me mjetet e rezervuara nga reklama dhe nga donatoria: 2000 Euro të Birrarisë në Pejë dhe 2000 Euro të PTK-së, kemi blerë në Itali një transmetues 1 kilovat me të gjitha mjetet e tjera përkatëse, si antenat, kabllot, konektorët etj.
Pavarësisht nga transmetuesi i ri, më i fuqishëm se transmetuesi paraprak, nuk kemi arritur të sigurojmë dëgjueshmëri të duhur, as sinjal të pastër, për shkak të interferencës në valën tonë valide, për të cilën është në njohuri edhe Zyra për mediat, që është edhe e autorizuar për të mos lejuar interferime të tilla, që dëmtojnë tërë sistemin teknik transmetues.
Mjetet dhe pajisjet përkatëse teknike të Radios Kosova e Lirë, nga dita në ditë po pësojnë dëmtime për shkak të pengesave në valë dhe interferencës së palejueshme që krijojnë disa radiostacione lokale në valën 94.2.
Aktualisht, Radio-Kosova e Lirë ka dy studio të pajisura me mjetet elementare teknike, studion e transmetimit dhe atë të incizimit.

Radio-Kosova e Lirë
botuese e veprave dokumentare, letrare e artistike

Radio-Kosova e Lirë ka edhe sektorin e botimit dhe të publikimeve Deri tani ka botuar:

Radio-revistën Kosova e Lirë 1999-2000, shtatë numra;

Publikime:

Nezir Myrtaj Jehonë lufte Në këtë libër janë publikuar të gjitha komentet e shkruara nga autori, redaktor i informimit i Radios-Kosova e Lirë gjatë kohës së luftës, të cilat janë emetuar në valët e radios. Shumica e komenteve janë transmetuar në faqen e agjencisë, në internet. Libri ka 270 faqe, format 13.5 x 20.
Nezir Myrtaj, 17 dhe 18 Marsi 2004. Libri ka 112 faqe format 12×19 cm.
Martin Çuni Reportazhe lufte Në libër janë përfshirë të gjitha bisedat, intervistat dhe reportazhet që ka zhvilluar gjatë luftës reporteri dhe redaktori i radios, Martin Çuni. Libri ka 224 faqe format 14×22.
Nusret Pllana Rruga e lirisë Vepër autoriale, tematike dokumentare, e autorit Nusret Pllana, folës dhe zgjedhës muzike i Radios-Kosova e Lirë gjatë kohës së luftës. Libri është ilustruar me dhjetëra fotografi kolor, ka 160 faqe format 20×28.

Publikime të tjera
Ahmet Qeriqi………..Meditime në arrati, roman
Ahmet Qeriqi………..Në gjurmim të lashtësisë, studime
Ahmet Qeriqi………..Milush Kopiliqi, serb apo shqiptar, studime
Ahmet Qeriqi………..Burgu, roman
Martin Çuni………….Jetë e furtunë, përmbledhje poetike
Kasim Shala…………Poezi dhe rrëfime, (poet dëshmor)
Bajram Bekteshi……Mbizotërat, përmbledhje poetike
Bedri Tahiri………….Përtëritja, libër me tregime
Endrit Myrtaj………..Vargjet e mia, përmbledhje, poetike për fëmijë
Afrim Berisha……….Lirikë vjeshte përmbledhje, poetike
Zëri i lirisë…………..Broshurë e Radios-Kosova e lirë
Ahmet Qeriqi………..Luftëtarë të NDSH-së (1944-1950)
Ahmet Qeriqi………..Fenomene shqiptare, studime
Muhamet Pirraku…..Për kauzën e UÇK-së
Haki Qeriqi…………..Libër me poezi
Ahmet Qeriqi………..Krojmiri (1455-1999), monografi

III Koncepti redaktues i Radios Kosova e Lirë
gjatë dhe pas luftës
E themeluar në frontet e luftës sonë çlirimtare, duke qenë bashkëpjesëmarrëse në krijimin e proceseve politike dhe ushtarake të UÇK-së, Radio-Kosova e Lirë me kohë kishte krijuar pozicion të fortë militant kombëtar, me qëllim të propagandimit të luftës për liri, duke u bërë zëdhënëse e jehonës së krismave të pushkëve të legjendarit Adem Jashari dhe të trimave e trimëreshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Së bashku me Agjencinë e lajmeve Kosovapress, këto dy institucione informative të luftës afishuan përmbajtjen informative militante, duke u bërë digë e pathyeshme e informimit të drejtë dhe objektiv në afirmimin e vlerave të UÇK-së, në denoncimin e politikës pacifiste, ndërsa në anën tjetër duke i dhënë përkrahje të fuqishme dhe të parezervë luftës së UÇK-së kundër forcave okupatore jugosllave. Në komentet dhe vështrimet e Radios-Kosova e Lirë hetohej qartë pozicioni militant kombëtar, por edhe besimi i patundur në fitore.
Radio-Kosova e lirë, besnikja e luftës çlirimtare, ashtu sikurse pati guxim ta paralajmërojë lirinë, më 4 janar të vitit 1999, duke shpërndarë në eter zërin metaforë të lirisë, ajo arriti që nga malet e Berishës, më 21 qershor të po atij viti të lajmërojë popullatën liridashëse të Kosovës për dëbimin e turpshëm dhe të përjetshëm të makinerisë policore dhe ushtarake serbe nga Kosova.
E krijuar në zjarrin e luftës çlirimtare, e kalitur ndër beteja, e rritur tok me trimat e trimëreshat e Kosovës, Radio-Kosova e Lirë, e cila gjatë luftës fliste për lirinë e Kosovës u bë arenë e militantizmit kombëtar dhe mbeti po ashtu arenë e hapur e forcave avangarde atdhetare edhe në periudhën e pasluftës.

Radio-Kosova e Lirë pas përfundimit të luftës

Duke i qëndruar besnike lirisë të Kosovës dhe duke frymëzuar brezat për të shtyrë përpara proceset pozitive të pavarësisë së vendit tonë dhe të bashkimit kombëtar, Radio-Kosova e Lirë, ka trajtuar dhe trajton problemet më fundamentale të historisë së kaluar dhe të tanishmes, e cila, edhe pse me vështirësi e me çalime po ecën drejt proceseve të pakthyeshme të pavarësisë dhe integrimit mbarëkombëtar. Në këtë drejtim. Radio-Kosova e Lirë ka çarë përpara pa marrë parasysh pengesat, vështirësitë, sulmet e ndryshme, kërcënimet, kufizimin e dëgjueshmërisë nga Zyra e Komisionit të OSBE-së për Mediat, shantazhet e individëve të caktuar apo të qarqeve të ndryshme dhe neglizhencën e një pjese të faktorit vendor për të ndihmuar këtë zë autentik të lirisë.
Edhe pse e pa përkrahur nga ata që, nuk do të duhej në asnjë mënyrë ta anashkalonin, edhe pse e injoruar nga injoruesit e lirisë, edhe pse e atakuar nga plehurina e së kaluarës titiste rankoviqiste, Radion-Kosova e Lirë, asnjëherë nuk e harruan invalidët e luftës, familjarët e dëshmorëve, veteranët e luftës, pjesëtarët e TMK-së dhe forcat e tjera atdhetare, të cilat nuk do të lejojnë të shuhet ky zë bese e zë lirie.

Përmbajtja dhe temat e emisioneve të Radios-Kosova e Lirë

Nga koncepti afirmativ kombëtar dhe nga ecuria e trajtimit të këtij koncepti burojnë edhe të gjitha përmbajtjet e emisioneve të Radios-Kosova e Lirë. Përveç pesë edicioneve ditore të lajmeve, të përgatitura gjatë ditës në studio, sajohen edhe emisione të tjera tematike, dokumentare, arsimore e pedagogjike, kulturore e muzikore. Shumëllojshmëria e emisioneve është rezultat i angazhimit të pandërprerë të stafit të gazetarëve të radios, për të krijuar një opinion serioz, larg banaliteteve, larg improvizimeve skematike dhe çoroditjeve banale që karakterizojnë shumë media në Kosovë, të shkruara dhe elektronike.
Ruajtja dhe restaurimi i vlerave të njëmendëta njerëzore e kombëtare, i vlerave të qëndrueshme universale, serioziteti në trajtimin e emisioneve, i jep kësaj radioje një fizionomi autentike ku e kaluara gërshetohet me të tanishmen, si tërësi organike e origjinalitetit krijues në kohë dhe hapësirë.
Në funksion të këtij koncepti janë ndërtuar emisionet e ndryshme si:
Komenti i radios
Emision ditor ku pasqyrohet koncepti i Radios-Kosova e lirë lidhur me problemet e caktuara politike, shoqërore, ekonomike, kulturore. Etj.
Heroizmi i dëshmorëve të lirisë
Emision tematik dokumentar, i përditshëm, për jetën dhe veprën e dëshmorëve të kombit. Deri tani janë realizuar më shumë se 1200 emisione autentike për dëshmorët. Të gjitha familjet e dëshmorëve kanë marrë falas nga një kasetë me emisionin e incizuar për dëshmorin, përcjellë me efekte muzikore dhe tekst dokumentar artistik.
Radio-Kosova e Lirë emeton dy deri pesë orë në ditë emisione për dëshmorët.
Personalitete të jetës sonë kulturore e historike
Në kuadër të këtij emisioni dëgjuesit tanë njihen me jetën dhe veprat e krijuesve tanë, por edhe të krijuesve të vendeve të ndryshme të botës. Deri tani janë realizuar qindra emisione.
Personalitete të rezistencës kundër pushtuesve
Emision tematik dokumentar për luftëtarët popullorë, për heronjtë dhe dëshmorët e kombit, për trimat e trimëreshat e kombit.
Emisione të drejtpërdrejta të kontaktit
Emisione të kontaktit me personalitete politike, shoqërore, ushtarake dhe personalitete të tjera të artit, kulturës, gjuhës dhe lëmenjve të tjerë. Janë realizuar më shumë se 460 emisione të tilla. Emisioni i kulturës
Emision javor ku trajtohet një gamë e gjerë e temave të ndryshme të kulturës shpirtërore dhe materiale të popullit shqiptar.
Deri tani janë realizuar më shumë se 200 emisione të tilla.
Në gjurmim të lashtësisë
Emision historik dokumentar ku trajtohen tema nga historia, gjuhësia, arkeologjia, etnopsikologjia e të tjera.
Kalendari ditor enciklopedik
Trajton ngjarje të rëndësishme të kulturës, historisë, krijimtarisë, muzikës, shkencës, etj. Një rëndësi e veçantë iu kushtohet ngjarjeve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ditëve të betejave dhe të luftimeve, ditëve të rënies së dëshmorëve e ngjarje të tjera me rëndësi kombëtare e botërore. Emisioni ka filluar të realizohet prej janarit të vitit 2001
Spotet e Radios, Spotet edukative muzikore, Recital
Këto spote rikthejnë në emetim fragmente letrare artistike e muzikore nga trashëgimia artistike e së kaluarës, nga krijimtaria autentike origjinale e gjeniut krijues shqiptar.
Tema historike nga e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar
Emision i përditshëm në të cilin trajtohen ngjarje të shënuara nga historia kombëtare
E shtuna letrare artistike
Emision letrar ku shqyrtohen përmbledhjet poetike të poetëve, sidomos të poetëve e poeteshave të reja, duke recituar edhe vargje nga poezitë e botuara nga një poet i caktuar.
Proza jonë e zgjedhur
Po ashtu emision javor foljor- muzikor në të cilin lexohen fragmente nga proza e preferuar artistike e prozatorëve shqiptarë të së kaluarës dhe të prozës bashkëkohor. Deri tani janë realizuar rreth 200 emisione
Feja dhe shoqëria
Zakonisht trajtohen tema të filozofisë fetare në raport me shoqërinë, filozofinë dhe shkencën. Trajtohen edhe tema nga kultura e tolerancës fetare ndër shqiptarë e tema të tjera të rëndësishme nga religjioni në përgjithësi. Janë realizuar më shumë 25o emisione.
Universi letrar
Emision javor në të cilin trajtohen tema nga letërsia, nga drejtimet letrare, shkollat letrare botërore.
Bisedë me krijues
Emision i kontaktit me krijues të lëmenjve të caktuar të shkencave shoqërore dhe të natyrës.
Radio-drama
Shkenca e popullarizuar
Emision mbi të arriturat më të reja në shkencë, në mjekësi, dhe përgjithësisht në shkencat e natyrës. Në kuadër të këtij emisioni trajtohen edhe tema nga ambienti, ekologjia etj.
Tema arsimore e pedagogjike.
Trajtohen tema të ndryshme nga kultura, tema nga pedagogjia, arsimi, edukata e të tjera.
Nga arkivi I luftës së UÇK-së
Emision javor që rikthen në kujtesë ditët e lavdishme të luftës heroike të UÇK-së. Biseda në frontet e luftës me ushtarë dhe eprorë
Reportazhi i luftës
Këto dy emisione javore rikthejnë në kujtesë momentet e regjistruara në diktafon në vende të ndryshme të Kosovës, gjatë kohës së luftës, biseda në front me ushtarët dhe eprorët, reportazhe në familjet e dëshmorëve, të martirëve dhe të invalidëve.
Dëshmi për krimet serbe në Kosovë
Po ashtu një emision javor specifik i Radios Kosova e Lirë ku flitet për monstruozitetet e kriminelëve serbë. Në këto emisione përfshihen edhe dëshmi autentike të personave që kanë mbijetuar krimet. Në kuadër të këtij emisioni kemi trajtuar edhe tema të ngjashme të krimeve serbe kundër myslimanëve, pastaj krimet ruse në Çeçeni etj. Antologjia e fjalës së mençur
Emision ditor me fjalë të urta dhe mendime filozofike
Emisione të ndryshme speciale me karakter dokumentar artistik, kulturor, filozofik e shkencor. Gjatë programeve ditore trajtojmë edhe tema të caktuara speciale nga aktualiteti dhe nga lëmenj të caktuar kulturorë e shoqërorë.
Përveç emisioneve të tilla, Radio-Kosova e Lirë emeton edhe programe muzikore, të muzikës serioze, argëtuese, programe për fëmijë, programe të marketingut, programe humoristike dhe emisione të ndryshme të kontaktit ku trajtohen tema aktuale sociale, politike ekonomike, sportive etj, janë në funksion të dëgjuesve të të gjitha moshave. Shumica e emisioneve janë arkivuar dhe ruhen. Disa nga emisionet përsëriten, për mungesë të mjeteve materiale për të realizuar vazhdimisht emisione të reja.

Muzika folklorike, popullore, e përpunuar dhe muzika e lehtë në Radion Kosova e Lirë

Një veçanti tjetër të cilën e heton dëgjuesi sapo kontakton në valët e Radios-Kosova e Lirë është edhe muzika e zgjedhur. Radio-Kosova e Lirë është mbase radioja e vetme në tërë hapësirën etnike shqiptare që nuk emeton këngë të degjeneruara të grupeve apo këngëtarëve të caktuar, të cilët kopjojnë muzikën serbe, greke, turke e rome. Për konceptin muzikor të kësaj radioje janë të pa emetueshme këngët e degjeneruara të matrapazëve të profiterisë publike, si dhe këngët e përmbajtjes rok, hip rep dhe të ngjashme.
Në Radion-Kosova e Lirë dëgjohen këngët antologjike të këngëve origjinale shqiptare, këngët e muzikës autentike nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Emetohen të gjitha këngët për dëshmorët, këngë të rapsodëve të njohur, këngë të festivaleve kombëtare të muzikës folklorike, popullore dhe argëtuese, këngë korale, këngë arbëreshe, marshe për paradë, muzikë simfonike e autorëve shqiptarë, muzikë e përpunuar etj. Në radion Kosova e Lirë emetohen edhe disa këngë me vlera të shquara muzikore nga muzika e huaj.
Përmbajtja e emisioneve foljore muzikore, tematike, dokumentare, shoqërore arsimore, e të tjera, si dhe trajtimi adekuat dhe me përgjegjësi profesionale i këtyre përmbajtjeve janë përparësitë në këtë drejtim dhe specifika krijuese të kësaj radioje kombëtare…

Në Radion-Kosova e Lirë
kanë punuar qysh prej fillimit, punojnë aktualisht dhe kanë punuar në kohë të caktuar
Punojnë aktualisht në Radion Kosova e Lirë

Ahmet Qeriqi, drejtor dhe kryeredaktor,
Valdet Hoti, drejtor teknik,
Arbanë Qeriqi, gazetare, përgjegjëse e programit,
Mirvete Uka, gazetare, folëse,
Jeton Syla, përgjegjës i marketingut
Haki Gashi, operator i transmetimit,
Ajshe Myrtaj, operatore e transmetimit,
Leonorë Limani, operatore e transmetimit,
Rizah Berisha, punëtor teknik në Shtëpinë-Muze në Berishë,
Azemine Berisha, punëtore teknike,
Agron Durmishi, operator
Dilaver Polisi, në emisionin për fëmijë

Bashkëpunëtorë të përhershëm:

Nezir Myrtaj,
Martin Çuni,
Nusret Pllana,
Afrim Berisha,
Mejreme Maraj, Berisha,
Tone Buzhala, Gashi,

Kanë punuar në Radion Kosova e Lirë, në intervale të caktuara kohore:

Habib Zogaj,
Ismet Sopi,
Shefqet Zeka,
Gazmend Elshani,
Sabrije Haxhiu,
Sheqir Zeneli,
Hatixhe Hoxha,
Ali Gashi,
Mehmet Bala,
Fejzi Hajdari,
Avni Dehari,
Samed Elshani,
Adnan Fejza,
Isuf Hyseni,
Merxhan Avdyli,
Bajram Dabishevci,
Remzi Jashari,
Selim Zeqiri,
Zeqir Bekolli,
Fatmir Gjinovci,
Rexhep Tërshnjaku,
Hajrije Maxharraj,
Florë Pacolli,
Hysnije Hyseni,
Zelfije Pllana,
Agron Çuni,
Bujar Hajrizi
Kastriot Gashi,
Milaim A. Berisha.
Avni Qeriqi,
Hasan Haxhiu,
Zejnullah Halili,
Jetish Kadishani,
Minire Fetahu,
Tomor Avdiu,
Naim Zeqiri,
Bekim Islami,
Emine Hoti,
Xhavit Muçaj
Driton Sejdiu,
Jehonë Ademaj,
Shyhrete Musaj
Arbërie Zogiani,
Jetë Abazi,
Bledion Baraliu,
Kaltrinë Pajaziti
Devleta Hajredinaj
Dritë Slivova
Iliri Pireva
Në shërbimin e marketingut kanë punuar

Muhamet Kadolli,
Ramush Jashari,
Rexhep Tërshnjaku,
Naim Bytyçi,
Xhelil Maçastena,
Fadil Raça,
Milaim Krasniqi,
Florim Isufi,

IV Radio-Kosova e Lirë, financimi, donatoria

Edhe pse i vetmi medium elektronik informativ gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, Radio-Kosova e Lirë, (së bashku me Agjencinë Kosovapress nuk u mor nën përkujdesje të mjaftueshme financiare, as në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, as nga institucionet e mëvonshme përkatëse financiare.
Nga QPK-ja, Radio-Kosova e Lirë ka marrë një ndihmë financiare në vlerë prej 17.500 Euro në periudhën katër mujore prej gushtit deri në nëntor të vitit 1999.
Nuk ka marrë asnjë donacion nga organizatat e huaja të cilat kanë ndihmuar ngritjen e tërë rrjetit radio difuziv të vendit tonë qysh prej shtatorit të vitit 1999.

I vetmi burim i përhershëm financiar prej 12 korrikut të vitit 1999 e deri tani për Radion-Kosova e Lirë kanë qenë të hyrat nga marketingu dhe donatoria e disa drejtuesve të firmave vendore.

Radio-Kosova e Lirë është medium elektronik i pavarur, me status lokal dhe dëgjueshmëri të kufizuar, sipas vendimit të ZKPM-së në Prishtinë të cilën e drejton misioni i Mediave i OSBE-së
Pavarësisht nga mungesa e përkujdesjes institucionale, Radio-Kosova e Lirë, falë përkushtimit të të gjithë atyre që kanë punuar dhe punojnë aktualisht në këtë medium emblematik të luftës dhe të paqes në vendin tonë, falë disa ndihmëtarëve të përhershëm, arrin të përmbyllë me sukses vitin e shtatë të transmetimit të programit të vet autentik kombëtar. Përveç kësaj falë përkushtimit të donatoreve, u ndërtua edhe Shtëpia-Muze në fshatin Berishë, ku është vendosur teknika transmetuese e luftës, tërë materiali arkivor dhe të gjitha pajisjet e mjetet e tjera të cilat Radio-Kosova e Lirë i posedonte gjatë luftës.
Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë, falënderon të gjithë donatorët, të gjithë ata që, me prezantimin e reklamave të tyre në këtë radio, kanë mundësuar funksionimin e këtij zëri emblemë të lirisë. Falënderojmë edhe firmat reklamuese të cilët kanë reklamuar veprimtarinë e tyre prej 15 ditë, madje edhe me muaj e vite të tëra. Të tillë janë me shumicë dhe nuk kemi mundësi t’i radhisim këtu me këtë rast.

Redaksia Kosova e lirë   

Statuti

Nyje tjera

Komente