Adem Jashari

Hero, komandant legjendar dhe luftëtar i paepur i kombit shqiptar, i pari ndër themeluesit e UÇK-së. U lind në Prekaz të Drenicës në një familje me tradita të shquara atdhedashëse. Mbaroi shkollën e mesme teknike dhe më pas tërë jetën ia kushtoi luftës për lirinë e Kosovës. Pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981. Deri në vitin 1989 u aktivizua si ilegal, duke shpërndarë trakte e pamflete, të cilat bënin thirrje për t’u mobilizuar në luftë. Në vitin 1989, së bashku me vëllane, Hamzën, mori pjesë në demonstrata, kurse në vitin 1990 organizoi grupet e para të armatosura, duke formuar lidhje me njerëz të besës e të sakrificës anembanë Kosovës.

Në vitin 1991 ai së bashku me nje grup të zgjedhur të bashkëluftëtarve kaluan në Shqipëri, ku u përgatitën për luftë guerile dhe, pasi u armatosën mirë, u rikthyen ne Kosovë për të hedhur bazat e formimit të UÇK-së. U

krijuan grupet që filluan aksionet luftarake kundër policisë serbe në Skënderaj, në Gllogofc, në Mitrovicë etj. Policia serbe ra në gjurmët e tij, por edhe frikën ia kishte shumë. Më 30 dhjetor 1991 ia rrethojnë shtëpinë, kur aty ndodheshin të tre vëllezërit, që u bënë thirrje të dorëzoheshin. Ata nisën luftën, çanë rrethimin dhe u larguan, duke lënë disa policë të plagosur.U ngrit në këmbë e gjithë Drenica dhe për 7 vjet serbi nuk mundi të hynte atje. Më 25 nëntor 1997 forcat e Adem Jasharit sulmuan forcat e policisë në Vojnik, të cilat u tërhoqën, duke lënë të plagosur. Të nesërmen nje ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të motorizuara u drejtuan për në Vojnik. Adem Jashari me 10 luftëtarë i zuri pritë dhe, pas katër orë luftimesh të rrepta, forcat e policisë u tërhoqën të përgjakura. Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara nga goditjet qe u kishte dhënë Adem Jashari, filluan të qëllojnë majtas e djathtas pa mëshirë kundër kujtdo që shihnin dhe në fshatin Llaushë ata vranë mësuesin Halit Geci në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe të nesërmen më 28 nëntor 1997. Në këtë ceremoni, ku morën pjesë shumë njerëz, me urdhër të Adem Jasharit, dolën në tribunë për herë të parë përfaqësuesit e UÇK-së. Serbi nuk mundi të hynte në Drenicë, deri më 22 janar 1998, ditë kur ia rrethojnë shtëpinë për të dytën herë dhe e goditën me artileri e armë të tjera. Ademi atë natë nuk ndodhej në shtëpi. Luftuan i ati, Shabani, me Hamzën, Besimin (djali i Hamzës), Kushtrimin (djali i Ademit) etj.

U plagosën Selvetja (vajza e Hamzës) dhe Iliriana (vajza e Rifatit). Me të zbardhur dita,e gjithë Drenica u mblodh te kulla e gjuajtur me topa e Adem Jasharit.

Më 28 shkurt 1997 një njësit i UÇK-së ra në pritë në Likoshan, por djemtë luftuan duke vrarë 6 policë serbë e duke plagosur disa të tjerë. Forcat policore, në shenjë hakmarrje, sulmuan me tanke e helikopterë Likoshanin dhe Qirezin dhe vrane 24 veta, nxorën nga shtëpia gjithë familjen Ahmetaj dhe një grua shtatzënë. Adem Jashari me disa djemë depërtoi përmes rrethimit,u fut në fshat dhe evakuoi të plagosurit e ata që kishin mbetur Brenda.U kthye në shtëpi dhe i paralajmëroi pjesëtarët e familjes të ishin gati për sakrificën sublime.

Më 2 mars 1998 forca të shumta ushtarako-policore serbe, të armatosura me tanke, autoblinda dhe artileri, për të tretën herë e rrethuan shtëpinë e tij në tri skalione. Nga të 30 anëtarët e familjes atë natë në shtëpi ndodheshin 22. Para se të zbardhte dita, Ademi e kuptoi se ishte rrethuar dhe u tha: “Sot kemi luftë. Me fat na qoftë”! Dhe lufta u ndez shumë e ashpër.Tanke e topa, të vendosur rreth lagjes së Jasharëve, qëllonin me tërë kapacitetin e zjarrit. Të gjithë si një trup i vetëm, gra, burra fëmijë vendosën të luftonin deri në vdekjen e sigurt që i priste. Dhe luftuan tri ditë e net, deri sa u vranë që të gjithë, me përjashtim të një vajze të vogël,e cila u fsheh në gjirin e nënës së vdekur.U vra një familje prej katër kurorësh, gjithsej 21 veta, nga mosha 9 deri 74 vjeç, që ndodheshin në atë shtëpi. U vranë më vetëdije të plotë, me këngë patriotike në gojë, duke shijuar një akt unikal lavdie. Dhe, veç këtyre, në Jasharaj ranë edhe të tjerë, gjithsej 56 veta, të gjithë luftëtarë të lirisë nën komandën e Adem Jasharit. Në Prekaz, afër kullës së Adem Jasharit, ndodhet parcela e varreve të tyre, që eshtë kthyer në një vend homazhesh të përjetshme. Me vendim të SHP të UÇK-së Adem Jashari është shpallur komandant legjendar.

Statuti

Nyje tjera

Komente