Statuti

I.DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1.

Me këtë Statut përcaktohet emërtimi, selia, territori i veprimtarisë, organizimi i brendshëm i OVL të UÇK-së, si dhe të drejtat dhe obligimet e antarëve të Organizatës.

Përcaktohen synimet programore, synimet, veprimtarinë, format e veprimtarisë, qëllimet dhe rolet e OVL të UÇK-së. Përcaktohet orientimi i ndikimit në proceset shoqërore e politike dhe ndikimet në institucionet politike vendimmarrëse.

2.

Emërtimi i plotë është: Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkurtesa: OVL të UÇK-së (në tekstin e mëtutjeshëm Organizata).

Selia e Organizatës është në Prishtinë.

Simboli i Organizatës, është i njëjtë me emblemën e UÇK-së.

Kryesia e Organizatës posedon me vulën e vet, me emërtimin e Organizatës në të. Vula e protokolit caktohet me rregullore nga Kryesia.

Kryesia e Organizatës, ka letrën zyrtare, me shqiponjën dykrenare të flamurit majtas, simbolin e vet djathtas, e në mes shkruhet emri i plotë i Organizatës.

3.

Zyret e OVL të UÇK-së, nëpër komuna janë në qendrat komunale.

Kryesia e Organizatës në komunë, posedon me vulën e Organizatës, me emërtimin e OVL të UÇK-së dhe emrin e komunës në të.

Kryesia e Organizatës në komunë ka letrën zyrtare, të ngjajshëm me atë të selisë qendrore, por në të shënohet edhe emri i komunës.

4.

OVL të UÇK-së është organizatë joqeveritare e jopartiake e bashkimit të lirë dhe të vullnetshëm të të gjithë luftëtarëve të UÇK-së.

5.

Organizata, në përputhje me Programin dhe Statutin synon:

-          njohjen dhe avansimin e statusit të luftëtarëve të UÇK-së, dëshmorëve, familjeve të tyre dhe mbrojtjes së dinjitetit dhe integritetit të tyre;

-          të ndihmojë luftëtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre në realizimin e të drejtave të tyre dhe

-          të ruajë, mbrojë e avansojë vlerat e shenjta të luftës çlirimtare.

Detyrat dhe angazhimet e Organizatës janë:

-          angazhimi për mbrojtjen juridike dhe sociale të anëtarëve të Organizatës dhe familjeve të tyre;

-          angazhimi në ngritjen profesionale dhe punësimin e anëtarëve të Organizatës;

-          mbrojtjen shëndetësore të anëtarëve të Organizatës dhe familjeve të tyre;

-          sigurimin e pjesëmarrjes aktive të Organizatës dhe anëtarëve të saj, si dhe ndikimit të tyre në të gjitha sferat e jetës në Kosovë;

-          ndihma ndaj organeve përkatëse të Kosovës, në mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe mbrojtjen e vendit nga çfarëdo rreziku që i kanoset;

-          ndihma ndaj organeve përkatëse të Kosovës në luftimin e krimit dhe demaskimin e profiterëve të luftës dhe dezerterëve;

-          marrja pjesë aktive në realizimin e vetvendosjes, ndërtimin, zhvillimin e forcimin e shtetit, ekonomikisht dhe ushtarakisht;

-          kultivimi i atdhetarizmit dhe nacionalizmit shqiptar;

-          përkujdesja për invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe familjet e invalidëve;

-          bashkëpunimi me SHIL të UÇK-së, SHFD të UÇK-së si dhe organizatat që merren me çështjet e civilëve të vrarë, invalidëve civilë, robërve të luftës dhe të pagjeturve gjatë luftës çlirimtare;

-          mbrojtja e komplekseve memoriale, lapidarëve, varrezave të dëshmorëve, muzeve të luftës dhe të ngjajshme;

-          aktivitetet botuese;

-          rezervimi i të drejtës së kontrollit dhe ndalimit të botimeve për UÇK-në, fotografive të dëshmorëve etj;

si dhe detyra të tjera që parashihen me Statutin e Programin e Organizatës, si dhe me vendimet e organeve drejtuese.

6.

Format e veprimtarisë dhe të ndikimit të Organizatës janë të shumëllojshme dhe në pajtim me praktikat demokratike të veprimit: peticionet, protestat, demonstratat, marshimet, lobimet në institucione dhe formave të tjera që krijojnë opinion ndikues në procese dhe në vendimmarrje të niveleve të ndryshme.

7.

Organizata vepron në tërë territorin administrativ të Kosovës.

Organizata për nevojat e veta, hap zyret e veta edhe jashtë territorit të Kosovës.

8.

Aktivitetet e OVL të UÇK-së janë publike.

Aktivitetet e Organizatës publikohen përmes mediave elektronike dhe të shkruara, botimeve të posaçme dhe formave tjera të veprimtarisë informative.

Anëtarësia e Organizatës  njoftohet direkt përmes organeve drejtuese.

Vendimi për pjesëmarrje në mbledhje, të gazetarëve, apo personave tjerë që nuk i përkasin organit drejtues që mblidhet, merret në fillim të mbledhjes.

9.

Vendimet e organeve drejtuese të Organizatës  janë të vlefshme nëse shumica e antarëve të tyre janë prezent, përveç nëse me Statut caktohet ndryshe.

Vendimi është i plotfuqishëm, nëse votohet nga shumica e të pranishmëve, përveç nëse me Statut caktohet ndryshe.

Zgjedhjet e organeve bëhen me vota të fshehta, ndërsa vendimet votohen haptazi.

10.

Organizata feston Ditën e Dëshmorëve të Kombit Shqiptar, Epopenë e UÇK-së (5-7 mars) dhe ditët që përkasin me kalendarin e UÇK-së.

II.ANTARËSIA

11.

Anëtar i Organizatës mund të bëhet vullnetarisht secili pjesëmarrës i ndonjë njësie të UÇK-së, prej themelimit e deri më 21 qershor 1999.

Verifikimi  i anëtarëve është përgjegjësi e organizatës në komunë.

Me rregullore të posaçme, Këshilli drejtues kategorizon anëtarët e organizatës, në bazë të kontributit të tyre gjatë luftës çlirimtare.

12.

Anëtari i OVL të UÇK-së ka të drejtë të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e Organizatës, të shtrojë pyetje, ankesa propozime e sugjerime.

Të drejtën e udhëheqjes në Organizatë, e kanë luftëtarët e kyçur para 24 marsit 1999.

Anëtari i Organizatës ka të drejtë të pajiset me Librezën e Anëtarësisë, në bazë të proceduara të caktuara për regjistrim.

13.

Antëtar nderi të Organizatës mund të shpallen personat që e kanë ndihmuar, përkrahur dhe që kanë kontribuar në Luftën Çlirimtare të UÇK-së, në bazë të kritereve që caktohen nga Këshilli Drejtues.

Ata që nuk kanë qenë në luftë, por që e përkrahin organizatën, moralisht e financiarisht, kanë të drejtë të marrin pjesë në organizatë si përkrahës.

Përkrahësit e organizatës pajisen me dokument të posaçëm dhe mbahen në evidencë.

14.

Askush nuk mund të konsiderohet anëtar i Organizatës, nëse ka vepruar në kundërshtim me parimet dhe idealin e luftës për çlirim, apo në ndonjë mënyrë ka bashkëpunuar me armikun.

15.

Anëtari përjashtohet nga Organizata për këto arsye:

a)     Shkelja e Programit, Statutit, rregulloreve, vendimeve, apo akteve tjera të organizatës,

b)     Shkelja dhe njollosja e vlerave të luftës së UÇK-së,

c)     Bashkëpunimi me armikun,

ç)   Mospagesa e anëtarësisë,

d)   Vendosja e interesave partiake, apo interesave tjera mbi interesat e organizatës,

e)  Pasiviteti.

Detajet e tjera përcaktohen me Rregulloren Disiplinore dhe Kodin e Etikës.

Vendimin për përjashtim të anëtarit e marrin organet qendrore, apo organet drejtuese të Organizatës nëpër komuna.

Anëtari i përjashtuar ka të drejtë ankese pranë Gjyqit të Nderit, në afat prej 15 ditësh nga data e vendimit.

16.

Anëtari i Organizatës e ka obligim që të punojë në bazë të Programit, Statutit dhe akteve tjera të Organizatës.

Anëtari i Organizatës e ka obligim që:

a)     Të ndihmojë në ngritjen e vetëdijes kombëtare,

b)     T’i mbrojë dhe avansojë vlerat e shenjta të UÇK-së dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve,

c)     Të punojë, ndihmojë, njoftojë dhe realizojë me përgjegjësi detyrat e besuara nga Organizata.

III.ORGANIZIMI I BRENDSHËM

17.

Organizata vepron në principin territorial nëpër komuna.

Hasi dhe Hani i Elezit, organizohen si njësi të posaçme, me kompetenca të njëjta si ato të organizatës në komunë.

18.

Organizata në komunë punon në bazë të këtij Statuti, gjithashtu miraton duke u mbështetur në këtë Statut: Rregulloren e Punës, Rregulloren e Sekretarisë dhe Rregulloren Financiare.

Organizata në komunë që ka më tepër se 200 anëtarë, me vendim të posaçëm,  formon Seksionet e veta në bashkësi lokale, bashkësi fshatrash, apo lagjesh, siç e kërkon nevoja e organizimit.

IV.ORGANET DREJTUESE

19.

Seksioni ka Tubimin (të gjithë anëtarët që gravitojnë), dhe Kryesinë pesë antarëshe, që përbëhet nga kryetari, nënkryetari, sekretari dhe dy antarë.

Organizata në Komunë ka Kuvendin (17 deri 71 anëtarë), Këshillin drejtues (15 deri 27 anëtarë) dhe Kryesinë (5 deri 9 antarë).

20.

OVL të UÇK-së udhëhiqet nga organet qendore që janë: Kuvendi, Këshilli Drejtues dhe Kryesia.

21.

Kuvendi është organi më i lartë i Organizatës.

Kuvendi mblidhet çdo katër vjet në seancë të rregulltë. Seanca e jashtëzakonshme thirret me kërkesën e 2/3 së antarëve të Këshillit Drejtues ose me kërkesen e 1/3 të Organizatave në komuna.

Puna e Kuvendit rregullohet me Rregulloren e Kuvendit që miratohet nga Këshilli Drejtues.

22.

Delegatët e Kuvendit zgjidhen me procedurë të veçantë, nga kuvendet, ose këshillat drejtuese të organizatave në komuna.

Komunat me më pak se 200 anëtarë kanë të drejtën e një delegati; komunat me 200-499 anëtarë kanë të drejtën e dy delegatëve, ndërkaq komunat me 500 e më shumë anëtarë kanë të drejtën e tre delegatëve.

Gjithashtu, komunat për çdo 500 anëtar, dërgojnë nga një delegat.

23.

Mandati i delegatëve  të Kuvendit zgjat katër vjet.

Mandati i delegatit mund të revokohet edhe para këtij afati, po qe se delegati kryen veprime të ndaluara me  Statut, Kodin e Etikës dhe Rregulloren Disiplinore.

Revokimi i mandatit të delegatit bëhet nga organi që e ka zgjedhur.

24.

Kuvendi kryen këto detyra:

-          angazhohet për realizimin e të gjitha të drejtave që iu takojnë anëtarëve të Organizatës;

-          shqyrton situatën dhe pozitën e tërësishme lidhur me të drejtat dhe obligimet e anëtarësisë;

-          aprovon Programin dhe Statutin e Organizatës;

-          plotëson përbërjen e Këshillit drejtues;

-          aprovon Raportin e Punës dhe Raportin Financiar;

-          shpërndan tituj e çmime nderi për luftëtarët;

-          përcakton politikën e punës së Organizatës;

Gjithashtu kryen edhe detyra tjera në pajtim me Statutin.

25.

Këshilli Drejtues është organi më i lartë i Organizatës mes dy kuvendeve.

Seancat e Këshillit Drejtues mbahen çdo tre muaj. Seancat e jashëtzakonshme thirren nga 2/3 e Kryesisë, ose nga 1/3 e anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Seancat e Këshillit Drejtues kryesohen nga kryetari.

26.

Këshilli Drejtues ka 51 antarë.

Në përbërje të Këshillit drejtues janë kryetarët e organizatave në komunë, e pjesa tjetër zgjidhet nga  Kuvendi.

Në rast të dorëheqjes, largimit, apo përjashtimit të ndonjë anëtari, Këshilli Drejtues ka të drejtën e kooptimit të një anëtari tjetër.

27.

Këshilli drejtues zgjedh kryetarin dhe 10 anëtarë të Kryesisë.

28.

Këshilli Drejtues kryen edhe këto detyra:

-          miraton Rregulloren e Punës së Kryesisë;

-          përgjigjet për zbatimin e vendimeve të Kuvendit;

-          nxjerr dhe miraton Planin operacional organizativ të Organizatës;

-          kujdeset për të drejtat dhe obligimet e çdo anëtari të Organizatës;

-          kontrollon dhe koordinon  punët në mes të organizatave në komuna dhe Kryesisë;

-          mbikqyrë punën e Kryesisë dhe administratës së saj;

-          shqyrton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e anëtarëve të OVL UÇK

-          aprovon Rregulloren Disiplinore, Kodin e Etikës dhe akte tjera të nevojshme;

-          jep sugjerime, këshilla dhe urdhëresa të nevojshme;

-          përkujdeset për funksionimin e të gjitha organeve drejtuese të Organizatës;

-          themelon sektoret punuese të përhershme, apo të përkohshme, si dhe rregulloret për punën e tyre:

-          Redaksia e botimeve;

-          Sektori i punësimit, mbrojtjes juridike dhe shëndetësore;

-          Sektori i Analizave dhe Informimit;

-          Komisioni Statutar;

-          Komisioni i Revisionimit;

-          Sektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare;

-          Sektori i Historisë së Luftës, kalendarit historik dhe arkivimit;

-          Sektori i Gradimit dhe Dekorimit;

-          Sektori për Përkujdesjen ndaj Invalidëve të Luftës dhe Familjarëve të Dëshmorëve;

dhe sektore tjera sipas nevojës.

Kryen edhe punë të tjera të parapara me këtë Statut dhe akte të tjera ligjore.

29.

Kryesia është organ ekzekutiv i Këshillit Drejtues.

Kryesia përbëhet nga 11 anëtarë.

Kryesia nga radhët e veta zgjedh dy nënkryetarë, sekretarin dhe arkëtarin.

Kryesia emëron zëdhënësin e Organizatës.

Seancat e Kryesisë i kryeson kryetari.

30.

Kryesia e Organizatës:

-          koordinon punën e Organizatës mes dy mbledhjeve të Këshillit Drejtues;

-          përgatitë mbledhjet e Këshillit Drejtues;

-          koordinon punët me organizatat në komuna;

-          përgjegjet për zbatimin e vendimeve të Këshillit Drejtues;

-          miraton Rregulloren Financiare.

Gjithashtu kryen edhe detyra tjera në pajtim me Statut

31.

Kryetari i Organizatës:

-          përfaqëson Organizatën;

-          koordinon funksionimin e Organizatës;

-          përgjegjet për zbatimin e vendimeve të Kryesisë;

-          thërret dhe i kryeson mbledhjet e Kryesisë dhe Këshillit drejtues.

Gjithashtu,  kryen edhe detyra tjera me Statut dhe vendime të organeve drejtuese.

32.

Kryetari mund të inicojë procedurën e shkarkimit të çdo anëtari të Kryesisë, para Këshillit drejtues, atëherë kur konsideron se ndonjëri nga antarët nuk i përmbahet vendimeve të Kuvendit, Këshillit drejtues, apo të Kryesisë, ose me veprimet e veta njollos qëllimet e Organizatës.

Të njëjtën procedurë për kryetarin mund ta nisin së paku tre anëtarë të Kryesisë, apo së paku dhjetë anëtarë të Këshillit drejtues.

V.FINANCIMI DHE PASURIA

33.

OVL të UÇK-së është organizatë joprofitabile dhe mjetet e saj shërbejnë ekskluzivisht për mbulimin e qëllimeve programore dhe aktiviteteve.

34.

Organizata financohet nga:

-          Buxheti Qendror;

-          Buxheti komunal;

-          Pagesa e anëtarësisë një euro në muaj;

-          Kontributet vullnetare dhe

-          Donacionet.

Kryesia dhe Organizatat në komuna kanë xhirollogaritë e veta ku grumbullohen të hyrat në Organizatë. Menaxhimi i mjeteve përcaktohet me rregulloret financiare të Organizatave në komuna dhe Kryesisë.

Organizatat në komuna dorëzojnë 40% të anëtarësisë në Kryesi.

VI.KOMISIONI STATUTAR

35.

Komisioni Statutar, është organ i hartimit të Statutit dhe i mbikëqyrjes së respektimit të ligjshmërisë, Statutit, rregulloreve dhe akteve të tjera që kanë të bëjnë me fushëveprimtarinë e OVL të UÇK-së.

36.

Komisioni Statutar inicon procedurën e ligjshmërisë së punës së çdo anëtari të Organizatës me vetiniciativë, apo me kërkesën e ndonjë organi drejtues të Organizatës.

Komisioni Statutar obligohet që brenda 30 ditëve të shqyrtojë dhe vendos lidhur me çështjet që i parashtrohen.

VII.PËRGJEGJËSIA E ANËTARËVE DHE GJYQI I NDERIT

37.

Për moskryerje të obligimeve dhe për njollosjen e autoritetit të Organizatës, antarët mbajnë përgjegjësi në bazë të rregullave që i cakton Statuti, Kodi i Etikës dhe Rregullorja Disiplinore.

Komisionet disiplinore dhe organet drejtuese të Organizatave në komuna si dhe Kryesia, për veprimet e cekura më lartë, paraqesin akuzën për anëtarin pranë Gjyqit të Nderit.

Gjyqi i Nderit vendos në shkallë të parë, e anëtari ka të drejtë ankese pranë Këshillit Drejtues në afat prej 15 ditësh.

38.

Vendimi i Këshillit drejtues mirret pas shqyrtimit të raportit të Gjyqit të Nderit dhe ankesës së anëtarit. Ky vendim është definitiv.

39.

Gjyqi i Nderit, përbëhet nga Kryetari i Gjyqit dhe katër gjykatës.

Gjithashtu , emërohen edhe prokurori dhe zëvendësi i tij.

Përbërja e Gjyqit të Nderit zgjedhet nga Këshilli Drejtues, i cili e bën edhe emërimin e prokurorëve.

40.

Gjyqi i Nderit është i pavarur në punën e vet dhe mblidhet me kërkesën e prokurorit, apo zëvendësit të tij.

Prokurori inicon në afat prej 14 ditësh çështjet që i paraqiten nga organet drejtuese, ose merr vetiniciativa.

Antarët e Gjyqit të Nderit dhe prokurorët, nuk mund të jenë anëtarë të asnjë organi drejtues qendror të Organizatës.

Mandati i antarëve të Gjyqit të Nderit dhe prokurorëve zgjatë dy vjet.

41.

Gjyqi i Nderit, në bazë të Rregullores Disiplinore dhe Kodit të Etikës merr këto vendime:

-          vërejtje;

-          suspendim;

-          përjashtim për kohë të caktuar; dhe

-          përjashtim.

42.

Gjyqi i Nderit vendos me shumicën e tërë përbërjes së vet.

43.

Pas seancës gjyqësore, Gjyqi i Nderit, vendos njërën nga këto aktgjykime:

-          Fajësia e të akuzuarit;

-          Lirimi nga akuza ose;

-          Refuzimi i akuzës (nëse prokurori heq dorë nga akuza).

44.

Aktgjykimi i Gjyqit të Nderit i dedikohet me shkrim: prokurorit, të akuzuarit, organizatave në komuna dhe Kryesisë.

45.

Anëtari konsiderohet i vetëpërjashtuar nga organi drejtues ku merr pjesë, nëse mungon pa arsye në tri mbledhje, pa vendim të posaçëm.

VII.DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

46.

Antarët e Kryesisë nuk mund të kenë poste në parti, apo institucione shtetërore.

Antarët e kryesive të Organizatës në komuna, nuk mund të kenë poste në nivelin e njëjtë në parti, apo institucione shtetërore.

Anëtarët e Kryesisë dhe të kryesive të organizatave në komuna, nuk mund të jenë pjesëtarë të SHPK-së, apo pjesëtarë aktivë të TMK-së.

47.

Interpretimin e këtij Statuti e bëjnë në radhë hierarkike: Komisioni Statutar, Këshilli Drejtues dhe Kuvendi.

48.

Çdo akt normativ tjetër që e aprovojnë organet e Organizatës, detyrimisht duhet të jetë në pajtim me këtë Statut.

49.

OVL të UÇK-së përfundon së ekzistuari me një vendim që merret me referendum, në të gjitha Organizatat në Komuna. Për suksesin e referendumit vendosin 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve.

Në rast të përfundimit të ekzistimit, të mirat materiale dhe arkivi i dokumenteve të Organizatës i kalon Shtetit.

50.

Në rast lufte, apo në raste tjera të jashtëzakonshme, kur nuk ka mundësi të funksionimit të organeve drejtuese, të gjitha kompetencat i kalojnë Kryesisë së Organizatës.

Vendimet e Kryesisë në këto raste, janë të plotfuqishme dhe të obligueshme për tërë antarësinë.

Këto kompetenca Kryesia i mban deri në ndërprerjen e luftës apo gjendjes së jashtëzakonshme. Menjëherë pas kësaj, Kryesia i përgjigjet Këshillit Drejtues për të gjitha vendimet dhe veprimet e veta.

51.

Ky Statut mund të ndryshohet në tërësi nen për nen, apo të plotësohet me vendim të Kuvendit.

Këshilli Drejtues ka të drejtën e plotësimit të këtij Statuti, por jo më tepër se 1/3 e Statutit, deri në Kuvendin e ardhshëm. Plotësimet miratohen me shumicën absolute, 2/3 të votave të antarëve të Këshillit Drejtues.

52.

Ky Statut hyn në fuqi menjëherë pas miratimit nga Kuvendi.

Ky Statut u miratua në seancën e Këshillit Drejtues me datën 28/08/2004, në bazë të autorizimit që mori nga Kuvendi i dytë zgjedhor i SHVL të UÇK-së, mbajtur më 27  qershor 2004.

Prishtinë 28/08/2004

Këshilli Drejtues i OVL të UÇK-së

Statuti

Nyje tjera

Komente